(069) 22-54-869 l.ajderaj1980@gmail.com

Gjokutaj: Barra fiskale ka rënduar mbi shtresën e mesme

Eksperti fiskal, Eduart Gjokutaj, pohon se në dekadën e fundit, sistemi fiskal ka rënduar shtresën e mesme.

Një rritje e barrës tatimore mbi pagat mesatare, e shoqëruar me rritje të inflacionit më të lartë se rritja e pagës mesatare ka ndikuar në uljen e të ardhurave të disponueshme në duart e klasës së mesme.

Ndikimi është edhe më i madh, në rastin e tatimit të të ardhurave individuale nga kapitali.

Barra e tatimit mbi të ardhurat individuale nga kapitali është rritur në periudhën 2012 – 2022 me 57%, tha ai.

 

Si mund ta përkufizojmë shtresën e mesme në Shqipëri sa i përket nivelit ekonomik?

Klasa e mesme është një përshkrim që u jepet individëve dhe familjeve që zakonisht bien midis klasës punëtore dhe klasës së lartë, brenda një hierarkie socio-ekonomike, thënë kjo nga përkufizimet teorike.

Në Shqipëri, ajo që mund të quhet në kuptimin e ngushtë si klasë e mesme janë bashkësia e personave që kanë aftësi profesionale apo zotërojnë njohuri bazuar në diplomat, duke pasur në zotërim më shumë të ardhura për konsum, si dhe individët që mund të kenë prona dhe të ardhura nga kapitalet e investuara, që dallohen nga ato çfarë përfiton klasa punëtore.

Personat që konsiderohen në këtë kuptim në klasën e mesme shpesh punësohen si profesionistë, menaxherë dhe nëpunës civilë.

 

Si ka evoluar qëndrueshmëria ekonomike e kësaj shtrese në vitet e tranzicionit?

Sistemi ekonomik aktual nuk po funksionon si duhet për klasën e mesme shqiptare. Megjithëse, ekonomia dhe vendet e punës janë rritur për rreth një dekadë, shumë më tepër qytetarë janë të shqetësuar për sigurinë e tyre ekonomike.

Vlera masive të kredisë konsumatore, kreditë për banim dhe rritja e huave jashtë sistemit bankar pasqyrojnë pjesërisht këtë stres ekonomik.

Familjet e mesme kanë nevojë për më shumë akses në punë të qëndrueshme, që ofrojnë paga të mira dhe përfitime më të larta.

Por këto punë janë ende të vështira për t’u gjetur, duke i shtyrë familjet më thellë në borxhe. Kjo i ka nxitur familjet të gjejnë si mënyrë alternative për të paguar shpenzimet marrjen e huave, kryesisht afatgjata nga sistemi bankar.

 

Si ka ndikuar modeli i taksimit në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë ekonomike të kësaj shtrese?

Një rritje e barrës tatimore mbi pagat mesatare, e shoqëruar me një rritje të inflacionit më të lartë se rritja e pagës mesatare ka ndikuar në uljen e të ardhurave të disponueshme në duart e klasës së mesme.

Ndikimi është edhe më i madh, në rastin e tatimit të të ardhurave individuale nga kapitali. Barra e tatimit mbi të ardhurat individuale nga kapitali është rritur në periudhën 2012 – 2022 me 57%.

Nisur nga shqetësimi i rritur për pasigurinë e klasës së mesme është e nevojshme, që një ekonomi në rritje nuk duhet të shoqërohet me pasiguri financiare në rritje.

Një sërë masash dhe veprimesh mund të ndihmojnë për t’u dhënë familjeve siguri të vërtetë ekonomike. Kjo do të përfshinte jo vetëm garantimin e një pune të sigurt, por edhe të një pune të qëndrueshme dhe të paguar mirë dhe me përfitime të mira.

Ndërkohë, siguria duhet të shoqërohet edhe me një mbajtje në nivele të ulëta të barrës fiskale për punën, që ndihmon në kohë reale për të ulur kostot e individëve që gjenerojnë të ardhurat nga puna.

Në këtë kontekst, tatimi i të ardhurave nga kapitali duhet të përforcohet me një qasje më agresive.

Synimi duhet të jetë për të pasur harmonizim të barrës fiskale ndaj klasës së mesme. Si për taksimin e punës, po ashtu edhe të kapitalit në një barrë më të lartë për të. Por siguria dhe garantimi i klasës së mesme duhet të vijojë më tej.

 

Si do të ndikojë zbatimi i tatimit progresiv te profesionet e lira në normat 15 deri në 23% që nis zbatimin nga 1 janari 2024 në ekonominë e kësaj shtrese?

Në një shikim të ecurisë së pagës së mesme në vend, të ardhurat janë ose në vendnumëro, ose kanë filluar të bien për klasën e mesme, nëse marrim në konsideratë edhe inflacionin.

Kështu, treguesi i pagës mesatare në vitin 2013 ishte 52.150 lekë/muaj, ndërsa në vitin 2022 është 66.014 lekë në muaj (paga mesatare për sektorin publik dhe privat se bashku), me një rritje prej 26% në 10 vjet. Inflacioni në këto 10 vite është rritur në total me të paktën 26.6%.

Kjo rritje e inflacionit tregon rënie të nivelit të të ardhurave të kategorisë së mesme me 0.6% në këto 10 vite, që realisht është me ndikim kërcënues dhe rrudhës në të ardhurat e shtresës së mesme.

Ndërsa kostot e nevojave të jetesës vazhdojnë të rriten edhe me kërkesa të tjera që nuk regjistrohen në ekonominë formale, por që u përkasin shpenzimeve që kryhen realisht nga individët dhe familjet.

Si rezultat i pakësimit real të të ardhurave dhe efektit negativ për të rritur kursimet, rreziku që klasa e mesme të mbetet prapa ekonomikisht po rritet.

Një klasë e mesme e dobët na dëmton të gjithëve duke mbytur rritjen ekonomike të vendit tonë dhe duke minuar demokracinë tonë.

 

A ofron modeli ekonomik i Shqipërisë mundësi të mira karriere për shtresën e mesme?

Familjet e klasës së mesme kanë vite të tëra duke ecur të mbingarkuar nga rritja e ngecur e të ardhurave dhe rritja e çmimeve, por inflacioni që ka dalë nga pandemia dhe problemet e paadresuara të një ekonomie informale po dërgon më shumë se një valë zhgënjimi në radhët e tyre.

Pandemia në fillim dukej sikur mund të ofronte një shans për të kapur hapin në periudhën pas hapjes.

Një pjesë e atyre që bëjnë pjesë te kategoria e peronave me të ardhura të mesme e vijuan aktivitetin në vendet e tyre të punës, pagat e tyre filluan të rriteshin, por jo me një ritëm më të shpejtë se sa inflacioni dhe kostot e informalitetit.

Përshtatja me “botën e re” që po jetojmë duket se nuk do të jetë e lehtë. Kjo do të thotë se krahasimi i klasës së mesme aktuale me prindërit tanë mund të mos jetë mënyra më e dobishme për të matur gjendjen e tyre ekonomike.

Nëse në kohën e rinisë për brezin tonë u ndërtua një shtresë e brishtë në një periudhë destabiliteti ekonomik, nuk është çudi që brezi i ri, i cili po vjen dhe po hyn në këtë klasë të mesme të modelit shqiptar, të ndihet i lënë pas dore sot.

 

Çfarë modeli taksimi duhet të ndjekë qeveria me qëllim që të lehtësojë më tej zgjerimin dhe rritjen e kësaj shtrese si themeli i shoqërisë?

Në lidhje me barrën fiskale që ato mbajnë është e dukshme se pesha e taksës ka rënë pikërisht mbi shtresën e individëve me paga të mesme. Pesha që mban tatimi mbi pagat në raport me totalin e tij në buxhet është sa 48.5% e tij.

Nëse përfshijmë në llogaritje që kjo shtresë paguan edhe tatim në burim, duke përfshirë këtu edhe një kategori prej mbi 31 mijë individësh që janë të dypunësuar, por përkojnë me kategorinë e të ardhurave si shtresë e mesme, atëherë barra e tyre në raport me tatimin mbi të ardhurat personale mund të arrijë deri në 29% të totalit të tij.

Nëse analizojmë se sa ka ndikuar taksimi progresiv mbi kategorinë me paga të mesme (që fiton midis 67% deri në 200% të të ardhurave mesatare vjetore), nga llogaritjet rezulton se barra e tyre është rritur me të paktën 25%, duke e krahasuar dinamikën e saj në këto 7 vite të fundit.

Nëse kjo peshë do të ishte më e vogël, kjo shtresë do të përfitojë më shumë të ardhura.

Politikat e zgjuara fiskale dhe ndryshimi i pagës mesatare që duhet të lidhet me rritjen e pagës minimale të vendosura mbi koston e jetesës duhet të kryesojnë listën e politikave, që mund të përdoren për të përmirësuar shëndetin, lumturinë dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve shqiptarë.

Modeli i taksimit gjendet te filozofia e ndërtimit të sistemit të taksimit të ndershëm, e cila lidhet me ndryshimin e mendësisë së taksimit të punës në favorizim të kapitalit dhe së dyti, të shpërndarjes së barrës tatimore jo mbi taksat e konsumit, por mbi ato që fitojnë më shumë individët e pasur, pra taksimi i kapitalit.

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli origjinal e gjeni në  “Revista Monitor” duke klikuar linkun e mëposhtëm: https://www.monitor.al/gjokutaj-barra-fiskale-ka-renduar-mbi-shtresen-e-mesme-2/?utm_content=buffer9ae63&fbclid=IwAR1CWY_pFT9nXFohivs0YATpi9E8TbD41G8RPuN03W_bH71ryazBLmEucl8

Pin It on Pinterest